Menu Mbylle

Tradicionale të zonës së Razmës & çfarë ofron Natyral Razma Resort

Razma është zonë malore me një lartësi rreth 1000m mbi nivelin e detit dhe cikli i zhvillimit të bimësisë është relativisht i kufizuar. Në vijim keni disa informacione rreth produkteve bujqësorë & blegtorale që prodhohen, pjatat & pijet tradicionale dhe më pas do t`iu informojmë mbi kuzhinën që gjeni tek Natyral Razma Resort.

Produktet kryesore që prodhohen në zonën e Razmës janë: patatja, misri i verdhë dhe i bardhë, grosha dhe lakra.

Duke qënë dhe një zonë me karakter blegtoral, mishi, bulmeti dhe nënproduktet e tyre janë pjesë shumë e rëndësishme e stilit të të ushqyerit.

Ajo që vlen për tu theksuar është se Razma ka një traditë të hershme në përpunimin e pastërmasë së Dhisë dhe Proshutës së Derrit.

Pjesë e listës së pjatave tradicionale janë kacamaku, grosha, lakra me pastërma dhe proshuta e derrit. Ndërsa si pije kryesore janë: Hardiç dëllinje, Raki thane dhe Raki dëllinje.

Bimësia e egër është pjesë e identitetit të Razmës. Prandaj çaji i malit, i blinit, mendra e egër, do të arrini që të gjeni lehtësisht në stinët përkatëse.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe dredhëzat (luleshtrydhet e egra), trëndafili i egër, molla e egër. Gjatë shëtitjes tuaj nëpër Razëm do të gjeni plot dhe do të shijoni shijen e vërtetë.

Cila është kuzhina e Natyral Razma Resort?

Në çdo detaj të Natyral Razma Resort mund të shikoni elementet e traditës, si në dekor, stil, emërtime të dhomave, ambienteve etj. Ne e vlerësojmë, e çmojmë dhe e promovojmë traditën e zonës dhe patjetër që e kemi gërshetuar edhe në menunë e restorantit tonë.

Të ofronim vetëm një menu të zonës, është e pamundur pasi kohët kanë ndryshuar dhe Natyral Razma Resort vizitohet nga turistë që vijnë nga e gjithë bota. Në ditët e sotme shumë njerëz përllogarisin kaloritë, shumë të tjerë janë vegjetarianë apo veganë dhe shumë të tjerë mund të jenë intolerantë nga produkte të ndryshme. Këto jane arsyet që në menutë tona stinore jemi përpjekur që të arrijmë të përshtasim kërkesat e çdo klienti, duke i dhënë prioritet produkteve të stinës.

Çdo ditë, ne përgatisim mëngjeset për të gjithë personat që janë të akomoduar në hotel. Në mëngjeset tona ne ofrojmë: Bukë gruri e pjekur në furrë, mjaltë lulesh, reçelra të stinës të përgatitura nga stafi ynë; qumësht lope organik, qumësht i pasterizuar, djathë lope i përzier me deleje, gjalpë lope i përzier me deleje, kos organik, molla t’arta ( domate) të freskëta, kastraveca, omletë me barishte, kremviçe, drithëra me fije kallamoqi, drithëra me çokollatë, lëng boronice, lëng luleshtrydheje, fruta të freskëta, kafe e dytë, ujë.

Cilat janë pijet kryesore që Natyral Razma Resort ofron?

Çdo vizitor sapo vjen në resort, në barin “Luleborë” i ofrohet pija e mirëseardhjes. Është padyshim diçka që na përfaqëson dhe vlerësimet që marrim janë gjithmonë maksimale. Arsyeja? Sepse ne përdorim frutat magjike të pyllit si: thana, boronica, trëndafili, shega e egër etj

Gjithashtu në barin, verandën apo edhe në dhomë ju mund të shijoni edhe shumë kokteile dhe çdo pije tjetër.

Pra në mënyrë të përmbledhur në barin tonë ju mund të gjeni çdo pije dhe kokteile, ndërsa restoranti yne është ndërthurje midis kuzhinës tradicionale, mesdhetare dhe italiane.

Për çdo pyetje tjetër iu ftojmë të na shkruani në rrjetet tona sociale në Facebook dhe në Instagram.

Postime të Afërt