Menu Mbylle

Hiking nga Natyral Razma Resort deri “Shpella e Pëllumbave” – Info & Foto gjatë udhëtimit

Shpella e Pëllumbave është destinacioni më i afërt dhe duke mos qënë një terren i vështirë, të gjithë grupmoshat e kanë vizituar. Në këtë artikull do të përshkruajmë, sugjerojmë, të japim informacione dhe gjithashtu foto përgjatë gjithë itinerarit Natyral Razma Resort – “Shpella e Pëllumbave”. 

Nëse jeni në Razëm, atëherë ne ju sugjerojmë që pasi të keni lexuar këtë artikull, të shkarkoni në Google Maps-in tuaj, itinerarin Natyral Razëm Resort – “Shpella e Pëllumbave”, të cilën e keni duke klikuar këtu.

Pasi keni pirë kafen e mëngjesit, niseni nga Natyral Razma Resort drejt Shpellës se Pëllumbave; ku do të përshkroni 1.59 km në një drejtim dhe 3.2 km në total. 

Nisemi në rrugën që është në të djathtë të resortit dhe fillojmë të ngjitemi në rrugën e pjerrët rreth 200 m. Aty keni gjithashtu edhe disa tabela orientuese. 

Tabela në të djathtë të resortit që tregon destiancionet që mund të vizitoni
Kjo është gjithashtu rruga qe ktheheni per ne Shkoder apo Tirane

Vazhdojmë ngjitjen deri në kryqëzimin e fushës së Zezë dhe më pas do të vijojmë drejt ashtu siç shikoni edhe shigjetën në foto më poshtë. Theksojmë që edhe për fushën e Zezë do të ketë një guidë elektronike ashtu si kjo e shpellës së pëllumbave.

Kryqezimi me rrugen e Fushes se Zeze

Më pas vijojmë përgjatë rrugës së asfaltuar rreth 550 m. Gjatë rrugës duhet të jeni të kujdesshëm pasi ka qarkullim të mjeteve automobilistike. Por nga ana tjetër në stinë të ndryshme do të shikoni edhe magjinë e natyrës. Në të katërta stinët do të shikoni lule të shumëllojshme, luleshtryshë të egra apo  trëndafila të egër etj. Shikoni konkretisht disa foto që kemi shkrepur.

Në anen e rruges gjate muajit Qershor, ju mund te ndjeni aromen e mrekullueshme & te shijoni Luleshtrydhet e Egra.

Në kthesën në formë U, në pikën si më poshtë largohemi nga rruga e asfaltuar dhe vazhdojmë rrugicën tipike të fshatit, ku përballë kemi Malin e Veleçikut (edhe guidën e Veleçikut do ta hedhim në vijim).

Shtegu ne drejtim te malit te Veleçikut
Dredheza & mali i Velecikut ne sfond – Qershor 2019
Rruge tipike fshati

Pasi kemi ecur rreth 200 m nga pika ku u larguam nga rruga e asfaltuar, do të ndeshemi me një kryqëzim si në foton poshtë dhe ju do të vijoni drejt (sipas shigjetës në foto)

Rruga qe te con tek Shpella e Pellumbave

Më pas do të vijojmë në këtë rrugë midis shtëpive për rreth 120 m, deri në fund të rrugës dhe më pas do të kthehemi djathtas. Një pjesë e prodhimeve që ne gatuajmë tek Natyral Razma Resort, prodhohen në këtë zonë.

Vijimi i rruges

Guri është një veçori & karakteristikë e kësaj zone. Rrugët, muret apo shtëpitë e gurta janë në të gjithë Razmën. Ne do të vijojmë përreth 350 m në një terren malor, relativisht të vështirë dhe do të ecin vetëm drejt. Gjatë rrugës, nëse do të jeni të vëmendshëm, do të shikoni disa shenja të ngjashme me flamurin austriak, të cilat shërbejnë si orientues drejt “Shpellës së Pëllumbave”

Shpeshherë në këtë rrugë mund të ndesheni me barinjt e zonës apo gjithashtu në sezonin e pranverës, të shijoni luleshtrydhet e egërta.

Do të vijoni në këtë rrugë deri në pikën si më poshtë, pasi ky është i vetmi orientim për t`u kthyer tek Shpella e Pëllumbave. Pasi ju keni përshkruar rreth 350 m në terrenin malor, në një pllakë guri (shiko foton më poshtë) është shenjë në formën e shkronjës L (shenja e cila është me tre vija, me ngjyrë të kuqe & të bardhë) dhe aty do të ktheheni majtas dhe vetëm 40-50 m larg nga kjo pikë ndodhet Shpella e Pëllumbave.

Ketu eshte vendi ku duhet te kthehesh. Shumica ngaterrohen ne kete pike!

Duket të tregoni të kujdesshëm që të shmangni incidentet dhe mbani pranë fëmijët e vëgjel. E vetmja hyrje për në shpellë është me anë të shkallëve të drurit si në foton më poshtë.

Nëse ju keni planifikuar që të ndërmerrni një aventurë dhe të niseni drejt këtij destinacioni, ne ju sugjerojmë, që pasi të keni lexuar këtë material, të integroni në hartën tuaj Itinerarin Natyral Razma Resort – Shpella e Pellumbave të cilin e kemi krijuar. Për te lexuar më shumë mbi Guidën Elektronike të Shpellës së Pëllumbave, atëherë klikoni këtu. Aty jepen sugjerimet sesi të përdorni hartën edhe në zonat ku nuk ka valë apo lidhje internet. Gjithashtu aty keni edhe një manual përdorimi të saj (gjithashtu këtë manual e gjeni edhe në formatin Print tek Recepsioni.)

Postime të Afërt